PD –PS, përballen platformat ekonomike

rama-berishaBlerina Hoxha

Për herë të parë Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë qartësuar platformat ekonomike për katër vitet e ardhshme,
në qendër të të cilave kanë qenë çështjet e taksave, punësimi, zhvillimi ekonomik dhe problematika buxhetore. Në Forumin Ekonomik të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë ka referuar për programin ekonomik të PS vetë kryetari Edi Rama, ndërsa për PD, ministri i Ekonomisë, Florion Mima

Ekonomia sipas PS

Të kthesh ekonominë nga rritja është një sfidë për Partinë Socialiste. Vetë Rama e konsideroi të tillë situatën, duke dhënë si zgjidhje të parë nxjerrjen nga kriza të familjeve shqiptare, biznesit dhe ekonomisë në tërësi. “Çdo krizë është një mundësi, çdo krizë është një shans, çdo krizë është në të njëjtën kohë edhe një rrugëdalje e re. Ne duam ta shohim dhe do ta shfrytëzojmë këtë krizë si një mundësi, si një shans, si një rrugëdalje dhe besojmë shumë që do ia dalim”, tha Rama. Për të arritur këtë do të rindërtohet një model i ri ekonomik, i cili, sipas programit të PS do të bazohet në një zhvillim modern rural, në kualifikimin e fuqisë punëtorë, në rikonceptimin e turizmit, në krijimin e mundësive më të mëdha për investime dhe duke shfrytëzuar koniunkturën e re gjeopolitike në hapësirën shqiptare dhe në hapësirën e rajonit. Sa i përket çështjes së punësimit, Rama tha se objektivi qëndron në hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës në 4 vitet e ardhshme. Gjysma e tyre do të krijohen në hapësirën e zhvillimit rural. Në 4 vitet e ardhshme do të financohen 120 mln USD për të krijuar mundësi për punësim të drejtpërdrejtë për 40 mijë njerëz dhe rreth 12 mijë vende pune shoqëruese. Rama tha se industritë që lidhen me detin kanë potencial për 15 mijë vende të reja pune. Gjithashtu, zhvillimi i teknologjisë dhe informacionit do të gjenerojë 4 mijë vende të reja pune, ndërkohë që rreth 11 mijë vende pune mund të krijohen nga politikat e reja mbështetëse për turizmin. Partia Socialiste do të ridimensionojë edhe skemën e ndihmës ekonomike. Në aspektin e borxhit publik, Rama tha se do të rinisë bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe menjëherë bashkëpunimin me sipërmarrjen, si dhe do të fillojnë sakaq një punë për ristrukturimin e borxhit. Ndërsa për rritjen e investimeve të huaja, në këndvështrimin e PS më të rëndësishme se taksat e ulëta janë problemet e pronësisë dhe siguria ndaj investitorëve. Lidhur me tatim-fitimin për kompanitë, ai tha se do të ketë vetëm dy nivele. Një nivel tek biznesi i vogël, që pritet të përgjysmohet dhe niveli tjetër prej 10% për biznesin e madh, sa ç’është aktualisht. Megjithatë, Rama la të nënkuptohet se tatim- fitimi prej 10% mund të ndryshojë. Sipas tij, bizneset sot paguajnë realisht 22% tatim fitimi, duke përfshirë ryshfetet, pagesat për administratën, korrupsionin etj.

Ekonomia sipas PD

Në bazë të programit ekonomik të Partisë Demokratike në mandatin e tretë do të jetë bujqësia, si një sektor i cili do të gjenerojë 100 000 vende pune. Turizmi, gjithashtu vlerësohet si një sektor i rëndësishëm, i cili do të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë së vendit, por edhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Përveç këtyre dy sektorëve, prioritar do të jetë dhe transporti, përmes modernizimit të rrjetit rrugor, por edhe nga përmirësimi i infrastrukturës së portit të kontejnerëve në Vlorë, i cili do të shërbejë si nyje drejt Europës Qendrore. Në periudhën afatmesme, sipas ministrit Mima, do të punohet në tri drejtime kryesore; së pari, do të vazhdohet me reformat strukturore, siç janë privatizimet. Së dyti, do të punohet më tej për reformën rregullatore. Qeveria e djathtë, sipas Mimës, do të vazhdojë të ndjekë filozofinë e një shteti të vogël, duke reduktuar mundësinë që shteti të ndërhyjë dhe duke i hapur rrugë biznesit. Së treti, do të punohet për reformën fiskale, por Mima theksoi ndërkaq se të tjera detaje do të bëhen të ditura kur të publikohet programi i plotë i Partisë Demokratike. Ministri i Ekonomisë bëri edhe një përmbledhje të shkurtër rreth burimeve nga do të mund të sigurohet gjenerimi i vendeve të punës. Sipas tij, rreth 100 mijë vende pune do të hapen në bujqësi, 50 mijë do të gjenerohen nga investimet në infrastrukturë, 20 mijë do të vijnë direkt nga projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline dhe i gazifikimit të vendit, dhe 20 mijë do të vijnë nga zhvillimi i sektorit të teknologjisë së informacionit. Numrin një i ekonomisë foli edhe për borxhin publik, të cilin e konsideroi në kufij të pranueshëm dhe që nuk mbart rrezik.

Sipas tij, stoku i investimeve të huaja gjatë mandatit të tretë do të rritet ndjeshëm. Nga 4 miliardë euro që u llogarit gjatë mandatit të dytë, ai parashikohet të arrijë në 6-7 miliardë euro. Ai garantoi përfaqësuesit e sektorëve të ndryshëm të biznesit që marrin pjesë në këtë konferencë, se qeveria do të vazhdojë të aplikojë taksën e sheshtë, duke e shtrirë atë dhe për sigurimet shoqërore, për pjesën e punëdhënësit. Ai u shpreh kundër idesë së hedhur për uljen e pragut për pagesën e TVSH-së për bizneset, i cili sipas tij do të vazhdojë të mbetet 5 milionë lekë, pasi sa më shumë që të ulet, aq më shumë ulen arkëtimet nga kjo taksë. Mima gjatë fjalës së tij u ndal edhe në reformën e pensioneve, që pritet të jetë gjithashtu prioritet i mandatit të tretë të qeverisë në tri drejtime:

e cila do të na çojë drejt bashkimit ekonomik.

 

Modeli ekonomik

PS

Zhvillimi i bujqësisë, turizmit dhe kualifikimi i fuqisë punëtore.

 

PD

Bujqësia, infrastruktura dhe turizmi.

 

 

Taksat

PD

Qeveria do të vazhdojë të aplikojë taksën e sheshtë, duke e shtrirë atë dhe për sigurimet shoqërore, për pjesën e punëdhënësit. Nuk do të ulet pragu për pagesën e TVSH-së për bizneset, i cili do të vazhdojë të mbetet 5 milionë lekë.

 

PS

Lidhur me tatim-fitimin për kompanitë, PS ka prezantuar dy nivele. Një nivel tek biznesi i vogël, që pritet të përgjysmohet, dhe niveli tjetër prej 10% për biznesin e madh, sa ç’është aktualisht. Megjithatë, Rama la të nënkuptohet se tatim-fitimi prej 10% mund të ndryshojë. Sipas tij, bizneset sot paguajnë realisht 22% tatim fitimi, duke përfshirë ryshfetet, pagesat për administratën.

 

 

PunËsimi

 

PD

100 mijë vende pune do të hapen në bujqësi. 50 mijë do të gjenerohen nga investimet në infrastrukturë, 20 mijë do të vijnë direkt nga projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline dhe i gazifikimit të vendit, dhe 20 mijë do të shtohen nga zhvillimi i sektorit të teknologjisë së informacionit.

 

PS

E majta synon 300 mijë vende të reja pune në 4 vitet e ardhshme. Gjysma e të cilave do të krijohen në hapësirën e zhvillimit rural. 120 mln USD do të financohen për të punësuar drejtpërdrejt 40 mijë njerëz dhe rreth 12 mijë vende pune shoqëruese. Industritë që lidhen me detin kanë potencial për 15 mijë vende të reja pune. Zhvillimi i teknologjisë dhe informacionit do të gjenerojë 4 mijë vende të reja pune. Po ashtu, rreth 11 mijë vende pune mund të krijohen nga politikat e reja mbështetëse për turizmin.

 

Investimet

 

PD

Stoku i investimeve të huaja gjatë mandatit të tretë do të rritet ndjeshëm. Nga 4 miliardë euro që u llogarit gjatë mandatit të dytë, ai parashikohet të arrijë në 6-7 miliardë euro.

 

PS

Investimet e huaja, më shumë se taksat e ulëta do të kenë mbështetje në zgjidhjen e çështjeve të pronësisë, sigurisë, drejtësisë dhe fuqisë punëtore të kualifikuar.

 

 

Borxhi

PD

Borxhi publik sipas PD është në kufij të pranueshëm dhe nuk mbart rrezik në nivelin aktual.

 

PS

Do të fillojë menjëherë bashkëpunimin me FMN dhe me sipërmarrjen për ristrukturimin e borxhit.

 

Leave a Comment